Rubrika "Personazhi i ditës" - Xheni Karaj

Xheni Karaj është një nga aktivistet e para të komunitetit LGBT+ në Shqipëri. Ajo është një ndër nismëtaret e lëvizjes LGBT+ në Shqipëri.

Qysh prej vitit 2009, Xheni së bashku me dhjetëra aktivistë kanë luftuar duke ndërmarrë aksione e fushata të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin për komunitetin LGBT+. Xheni është një aktiviste e cila vazhdon betejat për të drejta të barabarta për komunitetin LGBT+, por jo vetëm. Ajo është përfshirë gjithashtu në kauza të shumta dhe së fundmi ka ngritur zërin edhe kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.

Që prej vitit 2012 ajo është një ndër organizatoret kryesore të Pride në Shqipëri. Xheni është drejtoreshë e organizatës “Aleanca LGBT” dhe ndër vite ka arritur të krijojë një hapësirë të sigurt për komunitetin. Gjithashtu ka arritur nëpërmjet Aleancës të sigurojë testime falas për sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe shërbim psikologjik falas për të gjithë ata anëtarë të komunitetit që kanë nevojë.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Arbër Kodra

Arbër Kodra është një ndër aktivistët e grupit të parë në Shqipëri për të drejtat e komunitetit LGBTQI+. Tashmë prej 11 vitesh, puna e tij është e fokusuar në edukimin, ngritjen e kapaciteteve, advokimit, artit dhe pjesëmarrjes politike të personave LGBTQI+ në Shqipëri, me në focus të rinjtë, politikanët dhe familjen, me një mbështetje të pakushtëzuar nga familja e tij, duke qënë dhe prindërit e parë që morën cmimin e Aleatit të Vitit 2018 nga STREHA LGBTI. Arbri I ka dhënë vizibilitet komunitetit gej duke dhënë shumë intervista televizive dhe në radio, brenda dhe jashtë vendit, si me Human Rights Campaign, Washington Blade, Voice of America (VOA) etj. Arbri aspiron që me punën dhe angazhimin e tij të kontribuojë në përmirësimin e jetës së personave LGBTQI+ në Shqipëri si qytetarë të barabartë të vendit, dhe përpiqet të jetë model inspirimi dhe motivimi për persona të tjerë gej, dhe që nuk kanë fuqi ta ngrenë zërin për momentin.

Arbri ka dhënë kontribut në organizime të shumta që në fillesat e lëvizjes LGBTQI+ duke përfshirë dhe Tirana Pride. Gjithashtu ka qene anëtar I parë nga Shqipëria në bordin e organizatës rajonale Equal Rights Association for Western Balkans and Turkey - ERA.

Që prej vitit 2013, Arbri është Drejtor Ekzekutiv i organizatës Open Mind Spectrum Albania (OMSA), dhe është I lumtur për punën në vazhdim për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBQTI+ në Shqipëri.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Livia Zotrija

Livia Zotrija është një aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT+ në Shqipëri.

Ajo filloi të angazhohej si vullnetare pranë organizatës “Aleanca LGBT” dhe që atëherë nuk iu nda kurrë komunitetit LGBT+. Livia është një ndër zërat më të fuqishëm të komunitetit në Shqipëri edhe rajon. Ajo është menaxhere projektesh pranë “Aleanca LGBT” dhe një nga personat më të dashur për komunitetin në Shqipëri.

Livia së bashku me stafin e Aleancës kanë mundur të sigurojnë falas pranë qendrës së “Aleanca LGBT”, analizat për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ajo angazhohet kryesisht me komunitetin transgjinor dhe problematikat që kjo pjesë e komunitetit has në përditshmëri.

Bashkë më partneren e saj dëshirojnë të martohen dhe të krijojnë familje dhe për këtë arsye do nisin një luftë të gjatë ligjore kundër qeverisë shqiptare, për njohjen e lidhjes së tyre.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Kristi Pinderi

Kristi Pinderi është një aktivist për të drejtat e komunitetit LGBT+ në Shqipëri.

Në mars të vitit 2012 ai themeloi organizatën Pro-LGBT, një organizatë e cila shërbeu për rritjen e ndërgjegjësimit mbi problematikat që komuniteti LGBT+ kishte dhe për rritjen e vizibilitetit të komunitetit. Në maj të 2012, së bashku me 8 aktivistë të komunitetit LGBT+, ai pedaloi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ky aktivitet qe Pride i parë në Shqipëri.

Kristi së bashku me aktivistë të tjerë kanë lobuar fuqishëm për “Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi” i cili u miratua ne vitin 2013. Në 2015, Kristi bashkë me Xheni Karaj dhe aktivistë të tjerë, realizuan dokumentarin SkaNdal i cili tregon historikun e lëvizjes LGBT në Shqipëri.

Kristi edhe pse tashmë jeton në Kanada prej disa vitesh, vazhdon të jetë i angazhuar në aktivizëm si në qytetin ku jeton ashtu edhe në Shqipëri. Ai është ideatori i PrideOn, Pride i parë virtual në Shqipëri dhe jo vetëm.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Elidjon Grembi

Elidjon Grembi është një ndër aktivistët e parë në Shqipëri për të drejtat e komunitetit LGBTQI+. Ai ka qenë një ndër organizatorët e aksioneve të para të zhvilluara në terren si, ‘’Doktorët e homofobisë’’, lyerja e stolave të Parkut të Rinisë me ngjyrat e flamurit LGBTI, shpërndarja e broshurave informuese.

Ai ishte anëtari i parë i komunitetit gej që pozoi për posterin ‘’Unë jam Gej dhe mund të jem kushdo’’. Elidjoni i ka dhënë vizibilitet komunitetit gej duke marrë pjesë në intervista televizive të kanaleve të huaja si Le Monde dhe përmes spoteve ndërgjegjësuese të realizuara nga Aleanca.

Në vitin 2013 u bë pjesë e dokumentarit Skandal, ku ndau dhe ekperiencat e tij me pasojat e të jetuarit hapur si djalë gej në një vend si Shqipëria.

Elidjoni ka dhënë një kontribut të vyer për organizimin e Tirana Pride që në fillesat e saj.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Alba Ahmetaj

Alba Ahmetaj është juriste dhe bashkëthemeluese e organizatës për të drejtat e komunitetit LGBT+ në Shqipëri, ProLGBT.

Ajo është një ndër asetet e platformës Historia Ime që në fillimet e saj. Zëri i Albës është i dukshëm, sidomos në seksionet e feminizmit, LGBT-së dhe të drejtave të njeriut të portalit, pasi motivimi i saj ka qenë më i fokusuar në këtë drejtim.

Alba është aktiviste prej 10 vitesh për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT+ në Shqipëri dhe ka luftuar për të ndihmuar përmirësimin e jetës së grave dhe vajzave të këtij komuniteti. Ajo është drejtoresha e programeve të dedikuara grave dhe vajzave të komunitetit LBT.

X