Rubrika "Personazhi i ditës" - Anxhela

Anxhela është një nga anëtaret më të njohura në Shqipëri, të komunitetit LGBTQI+ për shkak të historisë së saj të mbushur me momente të dhimbshme e të lumtura. Është e vështirë të përmbledhësh historinë e Anxhelës në pak paragrafë kështu që do përmendim disa momente kyçe nga jeta e saj.

Ajo është braktisur në moshën 9 vjeçare dhe është rritur në jetimore. Që herët sistemi e ka lënë në harresë Anxhelën duke mos i siguruar të mirat bazike që asaj si qytetare e Shqipërisë i takojnë. Gjatë gjithë jetës së vetë ka përjetuar diskriminim dhe dhunë, por këto nuk e kanë ndalur atë.

Vitin e kaluar, Anxhela marshoi krah më krah me gratë e tjera të cilat kishin organizuar protestën e 8 Marsit. Gjatë marshimit ajo mori dhe fjalën dhe rrëfeu historinë e jetës së saj. Gjithashtu vitin e kaluar për herë të parë marshuan në paradën e përvitshme vajza nga komuniteti transgjinor në Shqipëri. Anxhela kryesoi marshimin me thirrje e këngë për të drejtat e munguara ndër vitet të komunitetit transgjinor.

Anxhela është një frymëzim për të gjithë anëtarët e komunitetit LGBTQI+ në Shqipëri!

Rubrika "Personazhi i ditës" - Bekim Asani

Bekim Asani është aktivist nga Tetova për komunitetin LGBTI+ në Maqedoni. Ai është themelues dhe drejtues i organizatës "LGBT Junajted Tetovo", e cila promovon integrimin e personave nga ky komunitet në shoqërinë maqedonase.

Gjatë lobimit të tij si aktivist për të drejtat e komunitetit LGBTI, Bekimi është përpjekur vazhdimisht të gërshetojë këto të drejta me lëvizje të tjera si të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve dhe të komunitetit Romë. Gjithashtu përpjekjet e tij bazohen dhe mbi diversitetin gjuhësor, linguistik si dhe kontekstin fetar.

Bekim është fokusuar në të punuarit me komunitetin LGBTI+ në qytete të ndryshme si Tetova, Gostivari, Struga dhe Kumanova. Në vitin 2017 Bekimi u nderua me Çmimin francezo-gjerman për të drejtat e njeriut për punën e tij në luftën kundër diskriminimit nga Ambasada franceze në Maqedoni.

Gjatë punës së tij si një ndër aktivistët e paktë që ka dal hapur e ka lobuar për të drejtat LGBTI në Maqedoni, Asani është ndeshur me ofendime, gjuhë diskriminuese dhe kërcënime me jetë. Bekimi ka qënë i pari që ka organizuar "Queer Iftar" me organizatën "LGBT Junajted Tetovo", pra një iftar për të gjithë personat e komunitetit LGBTI+ në Tetovë që i përkasin besimit fetar mysliman.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Lola

Lola është një nga vajzat e guximshme transgjinore, 25 vjeçare dhe një nga aktivistet më me zë të komunitetit trans në Shqipëri. Lola doli hapur për identitetin e saj gjinor gjatë periudhës të gjimnazit. Për shkak të bullizmit me të cilin ajo u përball, u detyrua që ta braktiste gjimnazin.

Ajo shprehet që mungesa e informacionit rreth komunitetit LGBTQI+  është një prej arsyeve nga buron homofobia. Faktorë të tjerë që sipas Lolës ndikojnë në nivelin e lartë të homofobisë në shoqërinë shqiptare janë edhe feja dhe patriarkalizmi. Feja sipas saj nuk është faktor shumë i rëndësishëm por gjithsesi ngelet faktor. Përsa i përket patriarkalizmit Lola mendon se partiarkalizmi e vështirëson situatën e djemve gay dhe personave transgjinor, sepse të qënit gay ose trans shihet si “përdhosje” e burrërisë. Ajo është optimiste dhe mendon se situata edhe pse me ritme të ngadalta ka filluar të ndryshoj për komunitetin LGBTQI+.

Në një intervistë për Trans Magazine, ku ajo tregon për historinë e jetës së saj, ajo tregon se si ndihen fëmijët transgjinor: “Mos më braktis, mos më dhuno, mos më detyro të jem dikush që nuk dua të jem, mos më nxirr nga ajo vatër hyjnore ku dashuria të ngroh, të rrit dhe të ushqen. Ajo është e imja ashtu si e vëllezërve dhe motrave të mia. Ndoshta unë nuk jam djali që ti doje, por mund të jem vajza që do të të bëj krenare.”

Rubrika "Personazhi i ditës" - Lend Mustafa

Lend Mustafa është një aktivist për të drejtat e komunitetit LGBTQI+ në Kosovë dhe më tej.

Ai është transgjinori i parë, në Kosovë, që ka dal hapur në media për identitetin e tij gjinor. Akoma para se të dilte hapur ai angazhohej për të drejtat e komunitetit LGBTQI+ në Kosove dhe rajon. Lendi është kordinator projektesh pranë organizatës jo-qeveritare CEL (“Qendra për Barazi dhe Liri”).

Angazhimi i Lendit me komunitetin LGBTQI+ e ka njohur atë me shumë aktivist nga rajoni, të cilët luftojnë për të njëjtën kauzë. Me një prej aktivistëve, Jovanin nga Serbia, ai ka arritur të zhvillojë aktivitete të përbashkëta në Kosovë dhe në Serbi.

Bashkëpunimi i Lendit me Jovanin arriti deri në serinë e reportazheve te BBC-së “Crossing Divides” ku dy aktivistët shprehen se njerëzit e thjeshtë kanë probleme të përbashkëta dhe se konfliktet në rajon janë një lojë politike e së cilës nuk duhet të biem pre.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Blert Morina

Blert Morina është aktivisti që vitin e kaluar ja doli të fitonte të drejtën për të ndryshuar gjininë dhe emrin ligjërisht.

Ai kishte bërë kërkesë në zyrën e gjëndjes civile në Gjakovë për ndryshimin e emrit të tij nga "Blerta" në "Blert", por ajo ishte refuzuar. Blerti ju drejtua gjykatës dhe pas një kalvari të gjatë dy vjeçar në nëntor të 2019 atij ju njoh e drejta për të ndërruar shënjuesin e gjinisë dhe emrin në dokumentat e tij.

Blerti përvec se do kujtohet në histori si personi që luftoi kundër sistemit dhe fitoi, është dhe një nga aktivistët më të zëshëm për të drejtat e komunitetit LGBTQI+ në Kosovë dhe në rajon. Ai është drejtor ekzekutiv i organizatës “Qendra për Barazi dhe Liri” (CEL), organizatë e cila e ka fokusin tek të drejtat e komunitetit LGBTQI+.

Në vitin 2018 ai mori çmimin “Democracy Award”. Gjatë ceremonisë ai u shpreh: “Nëse do ishim dorëzuar që te pengesat e para, sot nuk do të kishim mundësinë të festonim diversitetin, për një javë të tërë në hapësira publike. Nëse do kishim hequr dorë që në fillim, sot nuk do kishim njerëz të cilët flasin hapur për seksualitetin dhe identitetin e tyre gjinor”.

Rubrika "Personazhi i ditës" - Qerkica

Qerkica është një grua 44 vjeçare, transgjinore e komunitetit rom që jeton në Prishtinë.

Ajo ishte ndër personat e parë, që ka dalë hapur si grua transgjinore, në Kosovën e pasluftës.

Në shumë intervista që ajo ka dhënë e ka folur mbi jetën e saj aspak të thjeshtë, është shprehur se gjithmonë është ndjerë grua dhe se njerezit ashtu e shihnin, deri në momentin kur zeri filloi t’i trashej e mjekrra t’i dilte.

Qerkica u quajt Violeta dhe ëndrra e saj më e madhe është të mundte të jetonte një jetë normale. Shpesh herë ka rënë pre e diskriminimeve si pjestare e komunitetit rom dhe e komunitetit transgjinor. Ka përjetuar dhunë të vazhdueshme, si prej shoqërisë ashtu edhe prej institucioneve shteterore.

Ndonëse ajo vazhdon të përballet me vështirësitë e jeta i ofron, qofshin këto ekonomike apo sociale, nuk e ka ndalur kurrë luftën dhe përpjekjen për të pranuar veten e saj dhe për të jetuar ashtu si ajo është, me guximin për ta bërë këtë përpara gjithë botës. Ndaj edhe sot, është një frymëzim dhe zë i fortë si për komunitetin LGBTQI+ në Kosovë ashtu edhe më tej.