Rubrika "Personazhi i ditës" - Bekim Asani

Bekim Asani është aktivist nga Tetova për komunitetin LGBTI+ në Maqedoni. Ai është themelues dhe drejtues i organizatës "LGBT Junajted Tetovo", e cila promovon integrimin e personave nga ky komunitet në shoqërinë maqedonase.

Gjatë lobimit të tij si aktivist për të drejtat e komunitetit LGBTI, Bekimi është përpjekur vazhdimisht të gërshetojë këto të drejta me lëvizje të tjera si të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve dhe të komunitetit Romë. Gjithashtu përpjekjet e tij bazohen dhe mbi diversitetin gjuhësor, linguistik si dhe kontekstin fetar.

Bekim është fokusuar në të punuarit me komunitetin LGBTI+ në qytete të ndryshme si Tetova, Gostivari, Struga dhe Kumanova. Në vitin 2017 Bekimi u nderua me Çmimin francezo-gjerman për të drejtat e njeriut për punën e tij në luftën kundër diskriminimit nga Ambasada franceze në Maqedoni.

Gjatë punës së tij si një ndër aktivistët e paktë që ka dal hapur e ka lobuar për të drejtat LGBTI në Maqedoni, Asani është ndeshur me ofendime, gjuhë diskriminuese dhe kërcënime me jetë. Bekimi ka qënë i pari që ka organizuar "Queer Iftar" me organizatën "LGBT Junajted Tetovo", pra një iftar për të gjithë personat e komunitetit LGBTI+ në Tetovë që i përkasin besimit fetar mysliman.