Qindra vetë marshuan në rrugët e Sarajevës, në Bosnje-Hercegovinë gjatë së dielës, për të shënuar paradën e parë të krenarisë në vend, duke e bërë kështu Bosnjen vendin e fundit të Ballkanit që mbajti eventin e përvitshëm të komunitetit LGBTI.
Parada u mbajt nën masa të rrepta sigurie për shkak të grupeve konservatore myslimane që u përpoqën ta pengonin atë duke mbajtur një anti-protestë.
Më shumë se 1.000 oficerë policie garantuan mbarëvajtjen e ngjarjes, duke rrethuar zonën e paradës me hekura dhe blloqe betoni. Mbi ndërtesat kryesore të qendrës së kryeqytetit boshnjak ishin vendosur njësitë snajper.
Aktivistë dhe mbështetës të të drejtave të njeriut nga Ballkani dhe Europa iu bashkuan marshimit të cilësuar si historik për të shprehur solidaritetin e tyre me komunitetin LGBTI në Bosnje.
Marshuesit brohoritën gjatë parakalimit që zgjati dy orë thirrje si “Dashuroj më shumë nga ç’kam frikë” dhe “Ka një mënyrë për të dalë haptazi”.