Njihuni me rekomandimet nga Pakoja e Zgjerimit të BE-së për 2019 mbi zbatimin e të drejtave LGBTI për Shqipërinë

Çdo vit, Komisioni Evropian miraton paketën e zgjerimit – një seri dokumentesh që shpjegojnë politikat për zgjerimin e BE-së. Më e rëndësishmja, kjo paketë përfshin një Komunikatë mbi zgjerimin, e cila përcakton punën që duhet bërë dhe vlerëson gjendjen në vendet kandidate dhe kandidatët potencialë. Përveç këtij komunikimi, pakoja përmban raportet në të cilat shërbimet e Komisionit paraqesin vlerësimin e detajuar të situatës në çdo vend kandidat apo kandidat potencial, mbi atë çka është arritur gjatë vitit të kaluar, duke përcaktuar kështu dhe udhëzimet për prioritetet e reformës.

Gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia) dhe Turqia janë aktualisht të përfshira në procesin e pranimit dhe janë gjithashtu, të përfshira në “Paketën e Zgjerimit”. Ndërsa, disa prej këtyre vendeve tregojnë një nivel konstant të progresit drejt BE-së, ndërsa të tjera vende ende priten të ndërmerren hapa më konkrete, ose së paku të kapërcejnë zhvillimet aktuale politike që ndikojnë negativisht në proces.

 

Të drejtat e personave LGBTI janë duke u analizuar në çdo vend, që është pjesë e procesit të pranimit në BE.

Si më poshtë analiza dhe rekomandimet për Shqipërinë

Shqipëria vazhdon me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Në prill 2018, Komisioni rekomandoi që Këshilli të vendosë hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë, duke inkurajuar në të njëjtën kohë, që Shqipëria të ruajë dhe thellojë momentin aktual të reformës, veçanërisht në fushën thelbësore të sundimit të ligjit. Në qershor të vitit 2018, Këshilli vendosi të vijojë rrugën drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në qershor të vitit 2019.

Ndonëse Kushtetuta nuk përfshin referenca për orientimin seksual dhe identitetin gjinor, megjithatë legjislacioni shqiptar kundër diskriminimit, ndalon diskriminimin kundër lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transeksualëve dhe interseksualëve (LGBTI). Sidoqoftë, nevojiten më shumë përpjekje për të mbrojtur personat LGBTI nga diskriminimi, kur bëhet fjalë për qasjen në kujdesin shëndetësor, arsim, drejtësi, punësim dhe strehim.

Në vitin 2018, 10 anëtarë të komunitetit transgjinor kërkuan azil jashtë vendit për shkak të shkallës së rëndë të diskriminimit. Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI (2016-2020), i mungon një buxhet i posaçëm dhe ka ende punë derisa të prodhojë rezultate të dukshme. Ekipi ndërministror përgjegjës për monitorimin e planit të veprimit në Shqipëri është funksional dhe ka mbajtur takimin e tij të fundit në janar të 2019-tës, për të marrë në konsideratë zbatimin e tij. Zyrtarët e policisë, prokurorët dhe  ministritë janë trajnuar për parandalimin e diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Financimi i strehimit për personat LGBTI ka vijuar me  promovimin e kujdesit, mbështetjes dhe avokimit për individët e pastrehë LGBTI.

Gjatë periudhës së raportimeve, nuk pati vendime gjyqësore për rastet që lidhen me orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Përveç kësaj, ndërgjegjësimi i publikut dhe pranimi i personave LGBTI mbetet i ulët, veçanërisht në zonat rurale. Gjuha e urrejtjes dhe e diskriminimit, vazhdojnë të jenë problem në media, veçanërisht në mediat online. Në mars të vitit 2018, në mediat sociale u zhvillua një fushatë urrejtjeje kundër komunitetit LGBTI, me pjesëmarrjen aktive të disa parlamentarëve  dhe një ish-ministri. Përkundër deklaratave të forta nga bashkësia ndërkombëtare, përgjigja e organeve  dhe institucioneve shtetërore ishte e kufizuar në krahasim me rëndësinë e fushatës.

Këtu mund të lexoni raportin e plotë dhe për rekomandimet e shteteve të tjera të përfshirë ne procesin për zgjerimin e BE-së.

© 2013 Aleancalgbt.org | Powered by Plus355.com