Publikimi i raportit vjetor të organizatave kundër diskriminimit të komunitetit LGBTI në Shqipëri

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, dy prej organizatave kryesore në vend për mbrojtjen dhe avokimin për kauzën LGBT+,  bëjnë me dije publikimin e raportit vjetor për situatën e respektimit të të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri dhe raportin e Monitorimit të gjuhës së urrejtjes në median online.

Të dy raportet vijnë si rezultat i një pune disa mujore të udhëhequr prej organizatave dhe paraqesin situatën shqetësuese me të cilën individët e komunitetit detyrohen të përballen në përditshmërinë e tyre. Në vitet e fundit fatkeqësisht vërehet një stanjacion dhe deri diku përkeqësim, përsa i përket respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT+.


Në raportin e përgjithshmëm mbi Situatën e respektimit të të drejtave të Komunitetit LGBTI në Shqipëri paraqiten të dhëna mbi të gjitha rastet e diskriminimit, dhunës, mungesës së përkrahjes nga ana e institucioneve dhe mohimit të shërbimeve për individët LGBT+. Ndërkohë që raporti mbi Gjuhën e urrejtjes paraqet të dhënat e procesit të monitorimit të mediave online dhe vërteton tendencën që një pjesë e medias ka për të përforcuar stereotipet që ushqejnë urrejtje ndaj komunitetit LGBT+ dhe realitetin diskriminues e të vështirë me të cilin komuniteti përballet në hapësirën online.


Gjetjet e raporteve të sipërpërmendura qëndrojnë në qendër të organizimit të sivjetshëm të Paradës së Krenarisë, ku theksi është vendosur te koncepti i vetëpranimit dhe pranimit shoqëror të komunitetit, si një vlerë e shtuar e shoqërisë dhe si qytetarë me të drejta të barabarta me pjesën tjetër të popullsisë.

Në webin e faqes Historia Ime, do të mund të gjeni të plota raportet në shqip dhe përkthyer në anglisht gjithashtu.

© 2013 Aleancalgbt.org | Powered by Plus355.com