Këshillim online për personat LGBT

Platforma është titulluar “SOS LGBT” dhe ofron shërbim profesional psikologjik dhe mjekësor për komunitetin dhe familjarët e tyre, duke ndihmuar në lehtësimin e procesit të shpalljes publike të identitetit të tyre, pranimin e vetes dhe të të tjerëve. Gjithashtu, kjo linjë këshillimi ka për synim të thellojë njohuritë sa i përket shëndetit mendor, seksual dhe riprodhues, mjeteve mbrojtëse dhe institucioneve që mund t’u vijnë në ndihmë, por edhe trajtimin profesional të rasteve të diskriminimit, bullizmit apo proleme të tjera të integrimit shoqëror. Përveçse nga Shqipëria, në këtë platformë kanë kërkuar ndihmë dhe kanë kontaktuar edhe persona që jetojnë në Belgjikë, Maqedoni, Shkup, Mal të Zi, dhe Kosovë,  ku kjo e fundit ka pasur rreth 10% të rasteve.

 

Gjatë vitit 2018, në platformën SOS LGBTI ekspertët  si mjek, psikolog dhe prindi kanë dhënë  432 këshillime, nëpërmjet bisedave chat, për 107 persona të komunitetit LGBTI. Vihet re që anëtarët e komunitetit LGBTI kanë patur më shumë nevojë të komunikojnë me prindin mbështetës, e cila ka kryer  154 biseda, kjo lidhet me nevojën që kanë anëtarët e komunitetit LGBTI për t’u ndjerë të pranuar, të pagjykuar dhe diskriminuar nga familja.

“Pjesa më e madhe që ka kontaktuar linjën SOS  LGBTI kanë qenë nga komuniteti transgjinor, më pas vjen komuniteti gay dhe ai i lesbikeve. Ky faktor është tregues për nevojën e madhe që ka komuniteti trans për t’u këshilluar, pasi dhuna dhe diskriminimi ndaj këtij komuniteti  brenda komunitetit LGBTI është më e fortë, krahasuar me komunitetet e gej-ve, lesbikeve dhe biseksualë/eve”, thuhet në raportin vjetor të organizatave që kanë në fokus çështjet e komunitetit LGBTI, ku ndër të tjera nënvizohet progresi dhe larmishmëria e aktiviteteve që i vyejnë jo vetëm pjesëtarëve të komunitetit në fasilitetet e ofruara, por edhe shoqërisë në ndryshimin potencial të pikëpamjeve në drejtim të të drejtave të njeriut dhe integritetit shoqëror.

Në linkun që vijon, mund të kërkoni më shumë informacion në lidhje me platformën, ose të keni akses të drejtpërdrejtë për një konsultë të mundshme; https://soslgbt.al/

© 2013 Aleancalgbt.org | Powered by Plus355.com