Ekspozita “Dollape të zbrazura”

Ditën e premte në ambjentet e qendrës rinore në Tiranë u çel ekspozita e fotografes Loreta Cuka me fotografi, histori dhe përjetime nga komuniteti LGBT+ në Shqipëri.

Ekspozita është një prej aktiviteteve të parashikuara në kuadër të Javës së Krenarisë, e cila nis ditën e sotme dhe do të kulmojë më Paradën e Krenarisë ditën e shtunë me 18 Maj.

Në ekspozitën e quajtur “Empty Closets” dhe të kuruar nga kuratorja Blerina Berberi, fotografja synon të zbrazë ‘dollapet’ e pjesëtarëve të komunitetit dhe të ndihmojë ato në procesin e gjatë dhe të vështirë të vetpranimit dhe atë të pranimit shoqëror.

Portretet e individëve LGBT+ të cilët për herë të parë dalin hapur në shoqëri janë të shoqëruara me historitë e tyre personale dhe përjetime nga dhjetëra pjesëtarë të tjerë të komunitetit të cilët ende e kanë të vështirë të bëjnë publik identitetin e tyre gjinor apo orientimin e tyre seksual.

 

Të gjitha këto portrete, janë rezultat i një pune dy vjeçare që fotografja ka ndërmarrë me qëllim fuqizimin e komunitetit prej vetë tyre. Ekspozita do të vijojë e hapur deri në datën 16 Maj në ambjentet e qendrës rinore.

© 2013 Aleancalgbt.org | Powered by Plus355.com