Intervistë me Hirushen, eksperienca e saj në Miss Trans Albania 2019

Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga Miss Trans Albania, sërish përjetimet pozitive të anëtarëve të komunitetit janë të shumta dhe impakti i këtij eventi mbetet shumë i madh.

Gjatë gjithë këtyre muajve në ambjentet e Aleancës LGBT, komuniteti mblidhet thuajse përditë për organizimin e konkurseve të ngjashme të bukurisë të cilat janë shumë më shumë sesa duket në sipërfaqe.

Në vijim do ju prezantojmë me Hirushen, eksperiencën e saj në prezantimin e Miss Trans dhe Mister Gay si dhe impaktin që aktivitete të tilla kanë të individ të komunitetit LGBT+ në Shqipëri.

Si ishte eksperienca e prezantimit të Miss Trans? Si shkuan përgatitjet dhe cilat ishin pritshmëritë tuaja për këtë edicion?

Miss Trans shkoi shumë mirë. Përgatitjet për këtë edicion patën vështirësitë e tyre por në përfundim të tij pritshmëritë tona u përmbushën plotësisht. Punuam shumë me vajzat dhe me njëra-tjetrën për të tejkaluar mentalitetin e ngurtë dhe të vëshitrë në të cilin jetojmë. Si në çdo event tjetër, pretendimet e të gjitha konkurenteve ishin të mëdha, por në fund besoj se të gjitha dolën të kënaqura nga konkursi.

 

Mund të them se ishte një event shumë i rëndësishëm pasi ne jemi një komunitet shumë i vogël dhe të tilla organizime na bashkojnë më shumë dhe nxjerrin në pah bukuritë e të pranuarit të vetes pa kushte. Kjo ishte eksperienca ime e disatë në prezantim, por padyshim një nga më të bukurat. Të njëjtat përshtypje kam marrë dhe nga vajzat që konkuruan në Miss Trans.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha me të cilat komuniteti transgjinor përballet në shoqëri?

Vështirësia më e madhe që ne hasim është mospranimi, jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga familja. Kjo është një gjë që na prek shumë të gjithave. Shpeshherë përpiqemi të mos lëndojmë familjen dhe nga frika se mos i lëndojmë ata, përfundojmë duke lënduar veten. Dëgjojmë shpesh histori të dhimbshme e shumë prej nesh vimë nga mjedise ku ende diskriminohemi për atë që jemi apo për shkak të dashurisë. Të gjitha këto problem na kanë bërë më të bashkuara si komunitet dhe përpiqëmi të ndihmojmë sadopak njëra-tjetrën në tejkalimin e këtyre vështirësive.

Si është një ditë e zakonshme e Hirushes?

Një ditë e zakonshme e imja fillon me shoqërinë. Kam shoqëri të shumtë brenda dhe jashtë komunitetit dhe kohën më të madhe e kaloj me ta. Më pas shkoj në punë dhe ndjek angazhimet e përditshme dhe pasditeve takohem me të tjere pjesëtarë të komunitetit te Aleanca.

Cilat janë hobit dhe pasionet e tua?

Hobi im është prezantimi. Përpiqem sa më shumë të angazhohem me aktivitete të ndryshme. Përpos prezantimit, momentalisht po punoj fort që në të ardhmen të mund të zhvilloj profesionin tim si fizioterapiste. Të dyja këto janë pasione të miat që dëshiroj t’i ndjek gjithnjë.

Po përsa i përket Mr.Gay? Nga lindi ideja dhe si shkoi organizimi?

Duke parë reagimet pozitive që morëm nga Miss Trans, sallën e mbushur plot dhe përkrahjen dhe nga individë që vinin nga jashtë komunitetit, rastësisht lindi dhe ideja për organizimin e Mr.Gay

Menjëherë filluam të mblidhemi dhe të gjejmë konkurentët dhe na u desh të punonim me disa prej tyre për t’i bindur për të marrë pjesë në konkurs. Koha e përgatitjes ishte e shkurtër, por ja dolëm të sjellim një shfaqje po aq të suksesshme sa Miss Trans dhe që pati pot ë njëjtat reagime positive.

Mendoj se evente të tilla ndihmojnë shumë në fuqizimin e komunitetit dhe na japin guxim të gjithëve ne të vazhdojmë përpara e të jetojmë identitetin tonë të vërtetë.

Së shpejti do të organizojmë dhe Miss Lezbike, si një event që vjen për herë të parë në Shqipëri.

Cili është një mesazh që do të jepjë për komunitetin në prag të Paradës së Krenarisë?


Dashuroni! Dashuroni pa frikë dhe pa u ndikuar nga gjinia, pritshmëritë e shoqërisë për ju apo ato që të tjerët ju thonë! Dashuria nuk është kurrë faj.

Njëkohësisht dua të jap një mesazh për pridnërit e individëve të komuniteti që të pranojnë fëmijët e tyre e t’i mbështesin ata. Mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme për ne dhe dëshiroj shumë që përmes Paradës së Krenarisë apo dhe eventeve të tilla, sa më shumë prindër të pranojnë fëmijët e tyre LGBT dhe t’i duan ata pa kushte.

© 2013 Aleancalgbt.org | Powered by Plus355.com